Pas tre vitesh dështim, nis në Lezhë dezinsektimi, një proces i cili ka munguar vetëm në këtë qark për shkak të tenderave të anuluar nga institucionet përkatëse.
Këtë vit, e gjithë zona bregdetare e këtij qarku, një nga më të frekuentuarat nga turistë të huaj e vendas nga Maji deri në Tetor, do i nënshtrohet procesit të dezinsektimit me qëllim garantimin e higjienës dhe mbrojtjes së shëndetit publik.
“Janë rreth 8 hektarë sipërfaqe të cilat dezinsektohen herë pas here. Përshihen pellgje, puseta dhe zona të tjera që konsiderohen si habitat për larvicitet e mushkonjave”, tha Elson Ffroku, përgjegjës i NJVKSH Lezhë.
Shëngjini mbetet një nga pikat më të ndjeshme për shkak të afërsisë me zonën lagunore dhe pranisë së ndërtimeve me bodrume të mbushura me ujë, që krijojnë kushte ideale për zhvillimin e larvave të mushkonjave.
Dezinsektimi në këtë zonë është veçanërisht i rëndësishëm për të siguruar një ambient të shëndetshëm për pushuesit dhe komunitetin vendas.
Gjatë stinës së verës insektet ndikojnë mbi popullatën jo vetëm me bezdisjen dhe shqetësimet që ato mund të japin në zonat turistike, por edhe me rolin e tyre në transmetimin e sëmundjeve si Ethet e Nilit Perëndimor, ku vitin që shkoi u evidentuan disa raste në vendin tonë.
Procesi i dezinsektimit nis në muajin Maj dhe përfundon në Tetor, dhe kryhet çdo 14 ditë në varësi të kushteve atmosferike.
TvKlan