Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë të Bashkimit Evropian, Nënpresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.
Në fokus të këtij takimi ishte procesi i zgjerimit evropian në rajonin e Ballkanit, ecuria e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit në BE, politika e jashtme e Shqipërisë dhe roli i saj në rajon.
Presidenti i Republikës i shprehu Përfaqësueses së Lartë Evropiane mirënjohje për angazhimin e palëkundur dhe vëmendjen e veçantë që i ka kushtuar integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor u vlerësua si mjeti më efektiv gjeopolitik, thelbësor për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetin në rajon.
Begaj rikonfirmoi se Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol proaktiv në bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor, duke vepruar si një faktor stabilizues. Kreu i Shtetit i shprehu përfaqësueses Kallas falënderim për Planin e Rritjes dhe mbështetjen financiare që Bashkimi Evropian ka dhënë ndaj Shqipërisë dhe rajonit.
Ai konfirmoi se Shqipëria është e përkushtuar në ruajtjen e vlerave thelbësore të BE-së: respektimin e të drejtave themelore. Gjatë bisedës me zonjën Kallas, ai shprehu synimin e vendit për hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda këtij viti dhe mbylljen e pjesës teknike të negociatave, duke përfunduar kapitujt deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë në 2030-ën.
“Angazhimi i Shqipërisë ndaj objektivit strategjik për integrimin në BE mbetet një prioritet kyç”, nënvizoi Kreu i Shtetit.
Për sa i përket ecurisë në reformat që mundësojnë anëtarësimin e vendit në BE, Presidenti Begaj garantoi zonjën Kallas se Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj programit të transformimit dhe reformave që synojnë përmirësimin e sistemit politik, forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe krijimin e kushteve të favorshme për mirëqenien e qytetarëve.
Gjithashtu, Presidenti Begaj theksoi faktin se populli shqiptar e ka mbështetur vazhdimisht integrimin në BE gjatë tre dekadave të fundit dhe entuziazmi për anëtarësim mbetet më i larti në rajon.
Krahas reformave të brendshme, Shqipëria ka qenë dhe mbetet në një linjë me qëndrimet e BE-së.
Në vazhdimësi të rolit në lehtësimin e dialogut brenda sferës evropiane të sigurisë, Presidenti i Republikës bëri të ditur se Shqipëria do të mbetet plotësisht e lidhur me BE-në, duke marrë pjesë aktive në misionet e CSDP-së, (Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes), dhe duke bashkëpunuar në forumet ndërkombëtare.