Dhjetëra ligjvënës amerikanë më 25 Mars i bënë thirrje presidentit Donald Trump, që të shfuqizojë urdhrin për të mbyllur Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM), duke argumentuar se ky hap do të kishte një ndikim të dëmshëm mbi transmetuesit, përfshirë Radion Evropa e Lirë, dhe do të ndihmonte vetëm kundërshtarët e Uashingtonit, sikurse Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut.
Në një letër drejtuar Trump, të nënshkruar nga më shumë se 40 anëtarë të Kongresit, u tha se mbyllja e USAGM-it do të dëmtonte edhe besueshmërinë e SHBA-së dhe pozicionin e saj global.
“Kjo do t’i lërë miliona njerëz në mjedise të mbyllura dhe shtypëse nga Havana në Karakas, nga Minsku në Teheran – me më pak mundësi për të pasur qasje në informacion mbi botën që i rrethon”, u tha në letër.
“Ne u bëjmë thirrje që të shfuqizoni urdhrin ekzekutiv dhe të siguroni vazhdimin e punës jetike të Agjencisë së SHBA-së për Media Globale dhe transmetuesve të saj”.
Përfaqësuesi Bill Keating (demokrat nga Masaçusets), anëtar i nënkomitetit për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se REL-i, Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë dhe media të tjera që mbikëqyren nga USAGM, “shërbejnë si mjete vitale të fuqisë së butë” që u mundësojnë njerëzve në shoqëri të mbyllura të kenë qasje në informacioneve të besueshme dhe objektive.
“Puna e tyre është aq e fuqishme saqë regjimet në Iran, Rusi dhe Kinë e kanë cilësuar atë si një kërcënim për sigurinë kombëtare”, tha Keating në një deklaratë për media, ku e cilësoi urdhrin ekzekutiv të Trump të 14 Marsit si “të pamatur” dhe tha se ai “trimëron kundërshtarët e SHBA-së të cilët ndihen të kërcënuar nga mediat e besueshme”.
Në letër u tha se rrjetet dhe përfituesit e fondeve të USAGM-it luajnë një rol historik dhe të rëndësishëm për ofrimin e një mbulimi të drejtë dhe gjithëpërfshirës të lajmeve në shtetet që nuk kanë një mjedis mediatik të lirë ose të hapur.
“Mbyllja e REL-it do t’i mundësojë qeverive në Rusi, Bjellorusi, Iran dhe Azinë Qendrore që të përhapin mesazhet e tyre propaganduese të regjimit pa frikën se do të mbahen përgjegjës përballë raportimeve të REL-it, që kanë fituar edhe çmime”, u tha në letër.
Letra i është dërguar Trumpit në të njëjtën ditë kur një gjykatës amerikan lëshoi një urdhër në favor të REL-it në padinë kundër USAGM-it, përmes së cilit kjo media kërkon anulimin e vendimit për ndërprerjen e financimit të miratuar nga Kongresi amerikan.
Gjykatësi Royce Lamberth tha se USAGM-i me gjasë kishte vepruar “në mënyrë arbitrare dhe kapriçioze” kur ia ka ndërprerë Radios Evropa e Lirë grantin, dhe që këto veprime do t’i shkaktonin transmetuesit “dëm të pariparueshëm”, nëse do të finalizoheshin.
Lamberth tha se kërkohet një masë e përkohshme ndalimi për të ndaluar mbylljen e REL-it, duke shtuar se duket se REL ka mundësi të fitojë rastin në gjykatë.
Udhëheqësja opozitare bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya, po ashtu foli për kërcënimin ndaj REL-it më 25 Mars.
“Mediat e lira janë lidhja jonë mes të vërtetës, mes njerëzve në mërgim dhe atyre që gjenden në atdhe”, tha ajo gjatë një fjalimi në parlamentin lituanez. “Nëse këto media vdesin, ato do të zëvendësohen me media të propagandës”.
REL-i ka zyre në Lituani nga ku mbulon edhe Bjellorusinë fqinje. Në atë zyrë janë të punësuar gazetarë bjellorusë që kanë ikur nga vendi më 2020, pas zgjedhjeve të kontestuara në të cilat udhëheqësi bjellorus, Alayksandr Lukashenka, u shpall fitues. Opozita, shumë qeveri perëndimore dhe organizata besojnë se zgjedhjet u manipuluan dhe Tsikhanouskaya ishte fituesja e vërtetë e votimeve.
Tsikhanouskaya kishte kandiduar në zgjedhjet presidenciale, pasi bashkëshorti i saj, Syarhey Tsikhanouski u arrestua me qëllim që të mos mund të lejohej të regjistrohej si kandidat. Ai është dënuar me 18 vjet burgim./REL