Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të premte në prezantimin e raportit të GRECO për luftën antikorrupsion.
Gjatë fjalës së tij, ai tha se ky është një tjetër raport domethënës dhe inkurajues për progresin që kemi bërë, të cilën ai e quajti ‘një tjetër kala e marrë.’
Teksa theksoi se Shqipëria renditet në tre vendet me përmirësimin më të madhe të qeverisjes, Rama tha se shumë shpejt do të vazhdojnë me hapjen e kapitujve të tjerë.
“Ky është një tjetër raport domethënës dhe inkurajues për progresin që kemi bërë, është një tjetër kala që marrim. Kur kemi nisur këtë rrugëtim, nga të katër anët raportet ishin tejet problematike dhe ky raport vjen pas atij të Sigma-s, i cili realisht na dha shumë energji pozitive.
Shqipëria renditet sot si një nga 8 shtetet me progresin më substancial të dekadës së fundit. Sipas këtij indeksi, Shqipëria ka performuar më mirë me të gjithë treguesit krahasuar me të gjitha matjet e bëra më parë. Shqipëria renditet një nga tre vendet me përmirësimin më të madhe të qeverisjes.
Dua të theksoj se shumë shpejt ne do të vazhdojmë me hapjen e kapitujve të tjerë, ndryshe nga çfarë është thënë gjatë kohëve të fundit në pasqyrat e kënetës politike dhe mediatike.
Për ne, ky nuk është një moment për t’u ulur, por janë motive për të qenë shumë më ambicioz për të shkuar shumë më tej. Jemi duke përgatitur një dallgë tjetër reformash të sundimit të ligjit, antikorrupsionit, duke vazhduar ne si qeveri të bëjmë një punë të konsiderueshme, edhe më të madhe, për të vënë në dispozicion të këtij progresi edhe zhvillimet e teknologjisë. Jemi duke përgatitur një model unik për prokurimet publike me inteligjencë artificiale”, tha Rama.