Kryedemokrati Sali Berisha është i pranishëm në Podgoricë, ku po merr pjesë në një konferencë të nivelit të lartë të organizuar nga Partia Popullore Europiane, që fokusohet mbi zgjerimin e Bashkimit Europian drejt Ballkanit Perëndimor.
Në postimin e tij, Berisha ka theksuar se konferenca konfirmon angazhimin e Bashkimit Europian për rajonin dhe se ai do të flasë mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Partisë Demokratike, përmes një delegacioni të nivelit të lartë, si dëshmi e angazhimit të partisë për përshpejtimin e procesit të integrimit europian të vendit.
Në panelin e organizuar, ku morën pjesë edhe përfaqësues të lartë të rajonit, Berisha ka kërkuar mbështetje të mëtejshme për avancimin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.