Kryeministri Edi Rama e sheh teknologjinë dhe Inteligjencën Artificiale në veçanti një bekim, sidomos për Shqipërinë. Këtë të premte ai tha se ato mund të përdoren për të fituar kohën që kemi humbur për të ngushtuar hendekun me vendet e zhvilluara.
Si shembull mori instrumentin e krijuar bashkë me Microsoft për të përshpejtuar në mënyrë eksponenciale procesin e negociatave. Sipas tij, ky mjet shërben duke transferuar në një kohë reale të gjithë trupin e ligjeve të BE-së që duhet të adaptohen në legjislacionin tonë.
Kjo sipas kreut të qeverisë i siguron Shqipërisë që të garantojë kohën fizike dhe ta reduktojë atë brenda kornizës së vendosur bashkë me Komisionin Europian, që negociatat të mbyllen në 2027.
Prandaj momenti për Ramën është historik e si i tillë, Shqipëria nuk duhet ta humbë mundësinë, por ta shfrytëzojë që të integrohet sa më parë në BE.
“Ky është një moment historik për Shqipërinë në të gjithë kuptimin e fjalës sepse është hapur një dritare e një mundësie që nuk vjen dy herë për t’u bërë pjesë e BE-së duke shfrytëzuar një hapësirë kohore tejet të shkurtër. Shpejtësia e procesit që ne po përparojmë në këtë kornizë është më e larta ndonjëherë krahasuar me të gjitha vendet, por jo sepse ne po e bëjmë shumë mirë detyrën çka nuk diskutohet, por sepse BE është shumë i interesuar për shpejtësinë. Është momenti historik i përputhjes së rrethanave tona të brendshme me rrethanat e sotme të BE-së. Janë ata po kaq të dëshiruar saç jemi ne që ky proces të mbyllet dhe Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së. Ne kemi detyrimin të mos e humbim këtë mundësi, të mos humbim asnjë ditë sepse nëse nuk e realizojmë këtë kapërcim epokal në këtë hapësirë kohore, dritarja mund të mbyllet dhe të fillojë historia nga e para, siç e keni parë të zhvillohet kur nuk ishte kjo përputhje e interesave dhe kur pavarësisht se ne bënim detyrën tonë dilte një vend atje dhe thoshte, jo pavarësisht se KE rekomandonte çeljen e negociatave Shqipëria bllokohej nga një veto këtu, nga një veto atje”, tha Rama.