Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani akuzoi qeverinë dhe ministrinë e brendshme për shtimin e rasteve të vrasjeve por edhe vetëvrasjeve në vend.
Sot në Kuvend, Dogjani tha se shteti është përgjegjës për vetëvrasjen e një 17-vjeçareje në Gjirokastër.
Ai tha se adoleshentja bullizohej nga bashkëmoshatarët, pasi nuk kishte mundësi të vishej si ata sepse ishte e varfër.
Lidhur me këtë, ministri Hoxha tha se opozita përdor dramat familjare për politikë dhe kjo sipas tij është dëshpëruese.
Hoxha: Nuk e kuptova përse ishte interpelanca. Të bësh politikë me vrasje dhe drama familjare është kur nuk ke çfarë të thuash. Për rastin e Gjirokastrës, kjo është një dramë familjare dhe jo varfërie. Është dëshpëruese dhe jopolitike që merreni me drama familjare. Ngrini pretendimin se sot ka shumë vrasje, ka më pak siguri dhe më pak zbulueshmëri nga policia e shtetit. Nga 2013 deri sot ka një rënie të numrit të vrasjeve duke shënuar një rekord të minimumit historik në dy vitet e fundit. Në 2024 kemi pasur 41 vrasje dhe 33 vrasje në 2023, kundrejt 126 vrasje në 2012. Janë zbuluar 86% e veprave penale vrasje me dashje në 2024.