Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha priti sot në një takim të Ngarkuarën me punë të SHBA-ve në Tiranë, Nancy VanHorn.
Lajmi është bërë publik nga vetë ministri, i cili përmes një postimi në rrjete sociale shkruan se biseduan rreth çështjeve të bashkëpunimit dypalësh, sidomos në fushën e sigurisë si dhe të kontributeve të palës amerikane për forcimin e Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese.
Po ashtu Hoxha thotë se e ka informuar zonjën VanHorn mbi angazhimin e strukturave të Ministrisë së Brendshme, posaçërisht Policisë dhe GJC, në raport me detyrat dhe përgjegjësitë për procesin elektoral të 11 Majit.
“Prita sot të Ngarkuarën me Punë të SHBA-ve në Tiranë, Nancy VanHorn dhe stafin që e shoqëronte, me të cilët ndava një bisedë të frytshme rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin që shoqërohet me rezultate në rritje.
E informova znj. VanHorn mbi angazhimin e strukturave të Ministrisë së Brendshme, posaçërisht Policisë dhe GJC, në raport me detyrat dhe përgjegjësitë për procesin elektoral të 11 Majit, si dhe me disa të dhëna nga sondazhi i fundit që mat perceptimin e publikut për sigurinë dhe punën e Policisë.
Pata mundësinë të shpreh gjithashtu falënderime për kontributin e palës amerikane dhe partneritetin, sidomos për Policinë e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, në funksion të rritjes së sigurisë për qytetarët në të dy vendet”, njofton Hoxha.