Ali Ahmeti përmes rrjetit social Facebook ka kritikuar Qeverinë duke thënë se vendimi i djeshëm për ta degraduar pozicionin e Gjuhës Shqipe në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, ishte skandaloz, kundër Marrëveshjes së Ohrit dhe antikushtetues.
“Vendimi i djeshëm i shumicës parlamentare pa legjitimitet etnik për ta degraduar pozicionin e gjuhës shqipe në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, nga gjuhë e detyrueshme zyrtare në gjuhë me kërkesë të palës përfituese, është skandaloz, antikushtetues dhe në kundërshtim të plotë me frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
Ky hap është vazhdimësi e rrënimit sistematik të Marrëveshjes së Ohrit dhe për ne ky vendim është i papranueshëm. Kjo zgjidhje përfaqëson një hap prapa në përpjekjet tona për barazi dhe drejtësi. Shqiptarët nuk do të pranojnë asnjë tentativë për të cenuar të drejtat e garantuara dhe për të kthyer vendin drejt ndarjeve të së shkuarës”, ka shkruar Ahmeti./Klan Macedonia