Dy administratorë dyqanesh janë shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës. Mësohet se janë sekuestruar mallra të ndryshme të futura kontrabandë në vendin tonë. Që nga veshjet e deri te 10640 kg qymyr për shisha.
Siç thuhet në njoftimin zyrtar, për rastin janë kryer hetime prej disa muajsh.
“Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor “Hidden”. Sekuestrohen nga 3 subjekte, mallra të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara në vendin tonë. Shpallen në kërkim 2 shtetas, administratorë të subjekteve ku u gjetën mallrat (veshje, ekspozitorë veshjesh dhe aksesorësh, artikuj të ndryshëm, sisteme sigurie si dhe 10640 kg qymyr për shisha).
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në këtë fushë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë finalizuar pas një hetimi disamujor, operacionin policor të koduar “Hidden”. Gjatë operacionit është ushtruar kontroll në subjektet me administratorë shtetasit I. I., 39 vjeç, dhe Y. I., 45 vjeç, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale artikuj të ndryshëm, ekspozitorë metalikë për veshje, sisteme sigurie për butiqe, ekspozitorë aksesorësh të tjerë dhe veshje të ndryshme, si dhe 10640 kg qymyr për shisha”, lajmëron Policia.