Kreu i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi është përplasur me kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropalin që në nisje të seancës.
Pas kërkesës për interpelancë me kryeministrin Rama, Bardhi ka diskutuar lidhur me çështjen e mandatit për socialisten Olta Xhaçka, ku nesër pritet të zhvillohet seanca në komisionin e Venecias.
Ai i tha Spiropalit se mban draft-opinionin e fshehtë për deputetët e opozitës.
Ndërkohë kryeparlamentarja iu përgjigj Bardhit duke thënë se nuk ka asnjë draft zyrtar, ndërsa shtoi se kur ta ketë në dispozicion do ta shpërndajë.
Pjesë nga diskutimi:
Bardhi: Draft-opinioni i komisionit të Venecias u është paraqitur juve zonja kryetare. Ju keni njohur grupin parlamentar të PS me draft-opinionin. Ndërkohë që grupin parlamentar të opozitë nuk e keni vënë në dispozicion, që ne të kemi mundësi t’i shohim. Sigurisht që mund të mos ju ketë pëlqyer draft opinioni dhe e keni mbajtur atë të fshehur. E keni detyrim që atë draft-opinion që komisioni i Venecias ju ka dërguar, e keni kërkuar si kryetare e Kuvendit dhe për këtë arsye duhet t’i tradhtoni grupet parlamentare në të njëjtën mënyrë.
Ndodh për herë të parë që delegacioni të përbëhet nga deputetë të mazhorancës. Gjithmonë përbërja ka qenë 4 anëtarë të Kuvendit, 2 nga opozita dhe 2 nga mazhornaca. Dua të di, jemi shpallur armiq të popullit ne nga partia juaj në pushtet? Ka ndonjë motiv të caktuar?
Spiropali: Më jepni mundësi të bëj një sqarim. Nuk ka dokument zyrtar, sapo të vijë, do të ndahet sipas rregullave të komisionit të Venecias dhe jo të Shqipërisë. Shumica s’ka asnjë draft të komisionit të Venecias. Bëhet publik dhe deputetët do e kenë. Zoti Bardhi mos spekuloni. Unë do jem në seancë në bazë të kërkesës që kam bërë.