Presidentja Vjosa Osmani, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
E në fjalën e saj para mediave, ajo u betua para varrit të komandantit legjendar Adem Jashari dhe varreve të familjes së tij, se çdo cep i Kosovës do të mbrohet pakompromis, njësoj si do të ruhet edhe liria dhe pavarësia e saj
Këto homazhe u bënë në datën e lindjes së Adem Jasharit, datë kjo që ka tri vlera për Kosovën, siç është Pavarësia e Shqipërisë dhe dalja e parë publike e UÇK-së.
“Ju uroj të gjithë shqiptarëve 28 Nëntorin, kjo festë e cila është simbiozë e disa datave historike për kombin tonë. Natyrisht shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, njëkohësisht edhe ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat na sjellin këtu në Prekaz, në vendin e qëndresës historike për të treguar jo vetëm madhështinë dhe përjetësinë e sakrificës së Adem Jasharit dhe familjes Jashari, por për t’u betuar edhe një herë para varreve të tyre, në vendin ku ata prehen përjetësisht, që do ta mbrojmë në mënyrë të pakompromis çdo cep të Republikës së Kosovës, lirinë dhe pavarësinë dhe njëkohësisht do të bëjmë çmos që shqiptarët gjithandej kudo që jetojnë ata, t’i kenë të drejtat e tyre të garantuara”, tha Osmani.
“Edhe një herë respekt i përjetshëm për komandantin Adem Jashari dhe për gjithë familjen Jashari”, tha ajo./Klan Kosova