Autoritetet turke thanë se kishin goditur pozicione ushtarake në Siri dhe Irak te lidhura me grupin militant kurd PKK, pasi e fajësuan atë për sulmin terrorist të së mekurën në Ankara ku mbetën të vrarë të paktën 5 persona.
Video të postuara në rrjet treguan dy persona të armatosur teksa qëllonin rreth hyrjes së Agjencisë Hapësinore turke, e cila gjendet 40 km larg kryeqytetit Ankara.
Deri më tani askush nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin që la të plagosur 22 vetë. Siç bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë, një total prej 32 objektivash që i përkisnin terroristëve u shkatërruan me sukses gjatë raprezaljes kundër PKK në Irak dhe Siri.
“Duke e krahasuar sulmin me shumë të tjera të ngjashme në të kaluarën, vlerësojmë se pasi tij, me gjasë qëndron organizata terroriste e PKK. Po kjo do të konfirmohet sapo të kemi përcaktuar identitetet e agresorëve që do ti bëjmë më pas publike”, tha Cevdet Yilmaz.
Autoritetet njoftuan se 4 nga viktimat ishin punonjës të Agjencisë Hapësinore, ndërsa i pesti, shofer taksie. Sipas mediave lokale agresorët, një burrë dhe një grua, kishin vrarë shoferin e taksisë para se të merrnin automjetin e tij për të realizuar sulmin. Shpërthime dhe të shtëna u dëgjuan më vonë pranë kompleksit, me pamjet që treguan kolona të mëdha tymi dhe një zjarr të madh.
Siç bëhet e ditur, agresorët janë vrare. Nga Kazani i Rusisë, ku po merr pjesë në samitin e Brics, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan e dënoi sulmin gjate një konference për shtyp me homologun Vladimir Putin, dhe e cilësoi atë si një akt të neveritshëm terrorist.