Partia Demokratike ka reaguar mesditën e sotme në lidhje me rrëzimin e kërkesës së Ervin Salianjit nga Gjykata e Lartë për lirimin nga burgu.
Përmes një deklarate për mediat, sekretare për çështjet ligjore, Ivi Kaso shprehet se PD e konsideron këtë vendim si ridënim politik të deputetit Salianji.
Demokrati thekson edhe njëherë mbështetjen e Partisë Demokratike për Ervin Salianjit dhe për çdo zë opozitar që ngrihet kundër regjimit.
DEKLARATË PËR MEDIA SEKRETARI PËR ÇËSHTJET LIGJORE NË PD, IVI KASO
Partia Demokratike e konsideron si ridënim të deputetit demokrat Ervin Salianji vendimin e Gjykatës së Lartë të marrë sot në presionin dhe urdhrat e Edi Ramës.
Kundër një vendimi të paligjshëm dhe politikisht të motivuar, trupa e Gjykatës së Lartë, as u ngrit në lartësinë e detyrës dhe as nuk i shërbeu balancave ndërmjet pushteve në Shqipëri të cilat i ka fshirë Edi Rama me një të rënë të lapsit.
Mbajtja në burg e nënkryetarit të grupit parlamentar demokrat është një medalje për të dhe opozitarët, dhe një njollë turpi për qeverinë dhe gjykatat e saj, të cilat e kanë kthyer përndjekjen e eksponentëve të opozitës në gjueti shtrigash.
Partia Demokratike shpreh edhe njëherë mbështetjen për deputetin e saj dhe për çdo zë opozitar që ngrihet kundër regjimit.
PD thekson se nuk ka paqe pa lirimin e të gjithë opozitarëve të mbajtur padrejtësisht në izolim ose në qeli.
Shërbëtorët e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt në gjyqësor nuk mund ta heshtin opozitën dhe as ta detyrojnë atë që, ashtu si ata, të shndërrohet në ankes të pushtetit.