Irani prezantoi një raketë balistike të re dhe një dron të përmirësuar sulmi gjatë një parade ushtarake më 21 shtator, raportuan mediat shtetërore, në mes të tensioneve të shtuara rajonale dhe akuzave për armatosjen e Rusisë.
Iranin e akuzojnë qeveritë perëndimore se po i furnizon dronë dhe raketa Rusisë për t’u përdorur në luftën kundër Ukrainës, një akuzë që Irani e ka mohuar vazhdimisht.
Raketa Jihad u projektua dhe u prodhua nga dega ajrore e Gardave Revolucionare të Iranit dhe ka një rreze operacionale prej 1.000 kilometrash, sipas agjencisë së lajmeve IRNA.
Droni Shahed-136B është një version i përmirësuar i Shahed-136, me veçori të reja dhe një rreze operacionale prej më shumë se 4.000 kilometrash, shtoi ajo.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell. (Fotografi nga arkivi)
Presidenti i ri, Masoud Pezeshkian, mori pjesë në paradën vjetore në Teheran, që përkujton luftën 1980-88 me Irakun e Sadam Huseinit.
“Sot, kapacitetet tona mbrojtëse dhe parandaluese janë rritur aq shumë saqë asnjë demon nuk guxon të mendojë për ndonjë agresion ndaj Iranit tonë të dashur”, tha ai.
“Me unitet dhe kohezion midis vendeve islame… ne mund ta vendosim në vend uzurpatorin gjakpirës dhe gjenocidal, Izraelin, i cili nuk tregon mëshirë për askënd, as për gra e as për fëmijë, të rinj apo të moshuar”, shtoi ai.
Kreu suprem, Ayatollah Ali Khamenei, mbajti një fjalim të ngjashëm kundër Izraelit për delegatët e një takimi vjetor të klerikëve muslimanë të organizuar nga Irani, duke i bërë thirrje vendeve islame që “t’i ndërpresin plotësisht marrëdhëniet e tyre ekonomike” me Izraelin dhe “t’i dobësojnë lidhjet politike”.
Lëshimi i një rakete Fath-360 gjatë stërvitjeve ushtarake në Iranin jugor në nëntor të vitit 2022.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur që nga sulmi i grupit palestinez Hamas – të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – i mbështetur nga Irani, ndaj Izraelit më 7 tetor, duke shkaktuar luftë në Gaza.
Tensionet janë intensifikuar në ditët e fundit ndërsa fokusi i Izraelit është zhvendosur në veri, në kufirin me Libanin, ku trupat e tij kanë luftuar kundër grupit Hezbollah, të mbështetur nga Irani.
Një sulm ajror izraelit në bastionin e Hezbollahut në pjesën jugore të Beirutit të premten vrau 31 njerëz, përfshirë dy nga komandantët e tij të lartë, thanë autoritetet libaneze.
Britania, Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj Iranit në fillim të këtij muaji, duke pretenduar se ai kishte ofruar raketa balistike për Rusinë./rel