Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për një oficere të Policisë Gjyqësore në Elbasan, e cila akuzohet për korrupsion.
Gjithçka nisi pasi rasti u denoncua në një emision investigativ. Oficerja, e identifikuar si A.D. është filmuar teksa i kërkon dhe i merr shtetases H. Ll., shumën prej 1000 euro, si shpërblim për të pushuar çështjen penale në ngarkim të djalit të saj, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal.
“Nga kryerja e veprimeve të para hetimore rezultoi se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetësja A. D., me detyrë Oficere e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal”, thotë SPAK.
Hetimet për këtë procedim penal vazhdojnë me administrimin e provave të tjera për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.