Catherine, Princesha e Uellsit, ka thënë se ka përfunduar trajtimin e saj kundër sëmundjes së kancerit me kimioterapi dhe do të kthehet gradualisht në jetën publike në muajt në vijim. Catherine, e cila zbuloi në muajin mars se ishte diagnostikuar me kancer, tha në një deklaratë se ajo po hyn në një “fazë të re rikuperimi” dhe do të “ndërmerr disa angazhime të tjera publike në muajt e ardhshëm kur të mundem”. Princesha, e njohur si Cate, ka bërë vetëm dy paraqitje publike që nga diagnostikimi i saj, e cila erdhi pasi ajo iu nënshtrua një operacioni të madh abdominal menjëherë pas Krishtlindjeve.
“Ndërsa vera po mbaron, nuk mund t’ju them se çfarë lehtësimi është që përfundimisht kam përfunduar trajtimin tim të kimioterapisë. Nëntë muajt e fundit kanë qenë tepër të vështirë për ne si familje. Lufta kundër kancerit është kompleks, i frikshëm dhe i paparashikueshëm për të gjithë, veçanërisht ata që janë më afër jush”, tha Kate Middleton, Princesha e Wellsit.
Në një video-mesazh që tregon imazhe nga vera angleze, Kate, William dhe tre fëmijët e tyre – Princi Louis, Princesha Charlotte dhe Princi George – shihen duke ecur nëpër pyje, duke bërë piknik, duke luajtur mes dunave të rërës dhe duke ecur në det.
“Kjo kohë mbi të gjitha më ka kujtuar Uilliam-in dhe mua që të reflektojmë dhe të jemi mirënjohës për gjërat e thjeshta por të rëndësishme në jetë, të cilat shumë prej nesh shpesh i marrin si të mirëqena. Thjesht për të dashuruar dhe për t’u dashuruar”, u shpreh Kate Middleton, Princesha e Wellsit.
Kate tha se ajo është e përqendruar në betejën për të larguar përfundimisht sëmundjen e kancerit dhe po fillon fazën e saj të re të rimëkëmbjes “me një ndjenjë të rinovuar shprese dhe vlerësimi të jetës”. “Edhe pse kam mbaruar kimioterapinë, rruga ime drejt shërimit të plotë është e gjatë dhe duhet të vazhdoj ta marr çdo ditë siç vjen. Megjithatë, mezi pres të rikthehem në punë dhe të ndërmarr disa angazhime të tjera publike në muajt e ardhshëm kur të mundem”, tha ajo.