Në kuadër të operacionit “Siguria Detare”, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë bllokuar gjatë një jave 35 mjete lundruese për shkak se nuk kanë respektuar perimetrin e sigurisë duke rrezikuar jetët e pushuesve dhe nuk kanë patur dokumentacion për mjetin lundrues.
Krahas bllokimit, ata janë ndëshkuar edhe me gjobë nga 10 mijë lekë të rinj deri në 100 mijë lekë të rinj.
Sipas policisë, mjetet e bllokuara janë: 20 jet ski, 8 skafe, 5 gomone dhe 2 varka metalike.
26 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë.
6 mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin.
1 mjet lundrues është bllokuar në Velipojë dhe 2 varka metalike me motor uji për lundrim janë bllokuar në Koman.
9 prej mjeteve lundruese të bllokuara janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative prej 100,000 lekësh të rinj.
Drejtuesit e 26 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative prej 10,000 lekësh për mungesë dokumentacioni.
Po gjatë kësaj jave, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare iu kanë dhënë ndihmë turistëve dhe vizitorëve në 9 raste në hapësirën detare nga Ksamili në Koman. Në shumicën e rasteve, turistëve ju rrezikohej seriozisht jeta për shkak të prishjes së mjeteve lundruese apo pamundësisë për t’u kthyer në breg për shkak të dallgëve.
Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese të zbatojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë për pushuesit, rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të jenë të pajisur me mjetet e shpëtimit, si dhe të tregohen vigjilentë gjatë lundrimeve.