A ia vlen ta japësh apartamentin me qira ditore në zonat bregdetare dhe Tiranë?
Të ardhurat mesatare mujore për njësi të listuara në Airbnb, sipas analizës së të dhënave të marrë nga AirDNA për vitin (periudha qershor 2023-qershor 2024) llogariten nga 960 USD në Tiranë deri në 1,050 USD në Vlorë.
Vlora kryeson për të ardhurat mesatare mujore për një njësi. Teksa në Tiranë për vitin, periudha qershor 2023-qershor 2024, tregu kryesohet për zënien më të lartë.
Apartamentin mund ta japësh me qira për gjysmën e muajit.
Me fillimin e sezonit turistik, për muajin qershor 2024 një apartament me qira më të shtrenjtë mund ta japësh në Golem, me çmim mesatar ditor 86 USD.
Vlora kryeson për kthimin më të lartë; Të ardhurat mesatare mujore deri në 1,050 USD
Në periudhën qershor 2023 – qershor 2024, sipas të dhënave të marra nga AirDNA lista me 10 qytetet për numrin më të lartë të pronave të listuara në AirBnb vijon të kryesohet nga Vlora. Më pas Tirana, Durrësi, Golemi, Shkodra, Korça, Shëngjini, Berati, Kashari dhe Farka.
Vlora kryeson për kthimin më të lartë të investimit për shkak të çmimit të lartë të qirasë.
Në periudhën qershor 2023-qershor 2024, treguesi REVPAR, i cili mat të ardhurën ditore neto (e llogaritur në bazë të çmimit ditor dhe normës së zënies së njësisë akomoduese) ishte 35 USD. Si rrjedhojë, e ardhura mesatare mujore për një njësi të dhënë me qira në Vlorë është 1,050 USD.
Numri mesatar mujor i strukturave akomoduese të listuara në Airbnb në Vlorë në periudhën qershor 2023-qershor 2024 është 7,442 prona. Kërkesa për net-qëndrimi për muajin qershor 2024 ishte 54,132 net të prenotuara.
Në raport me të njëjtin muaj të vitit paraardhës kërkesa për net-qëndrimi u shtua me 75%.
Mesatarja mujore e zënies së strukturave për periudhën qershor 2023-qershor 2024 ishte 45.4%. Kjo do të thotë që gjatë një muaji, shtëpia është e zënë 14 ditë me qirramarrës.
Çmimi mesatar i qirasë në muajin qershor 2024 në Vlorë arriti 76 USD/nata, ndër më të lartët për 10 qytetet kryesore. Ndërsa e ardhura mesatare ditore, bazuar në zënien e dhomës, arriti 40 USD.
Në periudhën janar-qershor 2024 u gjeneruan 7,5 milionë USD të ardhura nga strukturat me qira ditore në Airbnb në Vlorë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, të ardhurat u rritën me 94%.
Qyteti i Vlorës vjet u rendit i dyti në botë edhe nga platforma ndërkombëtare Booking, pas Japonisë si destinacioni me rritjen më të lartë për akomodim gjatë periudhës nga 1 gusht 2022 deri më 31 korrik 2023.
Pas qytetit të Vlorës, renditja botërore vijonte me Meksikën, SHBA-në, Holandën, Argjentinën, Gjermaninë, Zelandën e Re, Filipinet dhe Australinë.
Në 2023, gjatë muajve të verës, në qytetin e Vlorës dhe zonave turistike përreth saj pati një numër të lartë të turistëve të huaj, veçanërisht atyre italianë që vërshuan drejt Jugut nga çmimet më të lira krahasuar me vendet e tjera europiane.
Ndërsa në këtë sezon turistik konstatohet se shumë turistë italianë shprehen të pakënaqur në rrjetet sociale për rritjen e çmimeve. Sivjet në bregdetin e Jugut, çmimet për akomodim janë rritur rreth 30% më shumë se vjet.
Edhe çmimet e restoranteve dhe atyre të shezlonëve në plazhe janë shtrenjtuar 10 deri në 15%.
Tirana kryeson për zënien më të lartë. Apartamentin mund ta japësh me qira për gjysmën e muajit
Tirana renditet pas Vlorës për numrin e lartë të pronave të kthyera për dhënie me qira ditore, për shkak të fluksit të turistëve që vizitojnë gjatë gjithë vitin qytetin.
Në periudhën qershor 2023 deri në qershor 2024, numri mesatar mujor i strukturave në Airbnb ishte 3,659 njësi. E ardhura ditore neto për Tiranën është 23 USD.
E ardhura mesatare neto për 1 pronar apartamenti në Tiranë është 29 USD. Të ardhurat mesatare mujore llogariten në 690 USD dollarë.
Ndër 10 qytetet kryesore ku tregu i qirasë ditore po zgjerohet me përparësi, Tirana kryeson për numrin më të lartë mesatar të zënies së strukturave.
Mesatarja mujore e zënies në Tiranë është 49,8%, më e lartë sesa në Vlorë që është 45,4%. Njësitë në Tiranë janë dhënë 15 ditë me qira ditore në periudhën qershor 2023-qershor 2024.
Çmimi mesatar i qirasë për muajin qershor 2024 në Tiranë arriti 48 USD/nata. Ndërsa e ardhura mesatare ditore, bazuar në zënien e dhomës, arriti 28 USD.
Në Tiranë, në muajin qershor, kërkesa për net-qëndrimi arriti 42,066 net të rezervuara. Krahasuar me qershor 2023 u rrit me 98%.
Të ardhurat nga pronat për janar-qershor 2024 ishin rreth 8,8 milionë USD. Të ardhurat e periudhës u shtuan rreth 1,5 herë më shumë.
Në Durrës dhe Golem, në qershor 2024, qiratë më të shtrenjta sesa në Vlorë. Çmimi arrin 86 USD/nata
Rritja e numrit të turistëve të huaj vijon të ndikojë pozitivisht edhe te qiraja ditore në qytetin e Durrësit dhe zonën e Golemit.
E ardhura ditore neto (REVPAR) në Durrës është 29 USD në periudhën qershor 2023 – qershor 2024, me një qira mesatare mujore prej rreth 870 euro.
E ardhura ditore neto (REVPAR) në Golem është 32 USD për periudhën qershor 2023 – qershor 2024, me një qira mesatare mujore prej 1,000 eurosh.
Në rang vendi, Durrësi renditet qyteti i tretë për numrin e pronave të listuara në Airbnb. Në periudhën qershor 2023 deri në qershor 2024, numri mesatar mujor i strukturave në Airbnb ishte 1,900 njësi. Mesatarja mujore e zënies për periudhën ishte 41.2%. Kjo nënkupton se me qira një apartament e jep 12 ditë.
Sipas agjentëve të tregut imobiliar, rritja e listimeve është nxitur nga kërkesa e lartë për net-qëndrime, pavarësisht se qyteti bregdetar ofron një numër të madh strukturash akomoduese, duke përfshirë hotelet dhe resortet turistike të preferuara nga turistët e huaj.
Por një apartament me qira në Golem apo Durrës mund ta japësh më shtrenjtë sesa në Vlorë dhe Tiranë.
Në muajin qershor 2024, çmimi mesatar i qirasë në Golem ishte 86 USD. Ndërsa e ardhura ditore sipas zënies ishte 44 USD. Më e larta ndër 10 qytetet kryesore.
Në Durrës, çmimi mesatar ditor ishte 78 USD/nata në qershor 2024. E ardhura mesatare ditore arriti në 41 USD.
Të ardhurat nga tregu i qirasë ditore për janar-qershor në qytetin e Durrësit arritën në 3,4 milionë USD. Krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2023, u gjeneruan 1,7 herë më shumë të ardhura.
Kashari dhe Farka
Në Kashar dhe Farkë vijon të ofrohen shtëpi dhe vila me çmime të larta të qirasë ditore.
Në muajin qershor 2024, çmimi mesatar ditor i qirasë në Kashar ishte 80 USD dhe në Farkë, 74 USD. Të ardhurat mesatare ditore bazuar në zënien në këto zona variojnë në vlerën e 34-38 USD.
Duhet theksuar se oferta e zonave është e lartë për vila që shfrytëzohen nga të rinjtë për festa.
Sa është e ardhura mesatare ditore në Shkodër, Korçë dhe Shëngjin?
Në Shkodër dhe Korçë, e ardhura mesatare ditore është 27 USD në muajin qershor 2024. Ndërsa në Shëngjin, 23 USD.
Më e ulëta ndër 10 qytetet kryesore është në Berat me 16 USD. Të ardhurat nga tregu i qirasë ditore në Berat në periudhën janar-qershor ishin rreth 250 mijë USD, me rritje 1,3 herë më shumë se vjet.
Në Berat dhe Shëngjin, mesatarja mujore e zënies së strukturës ishte 31,8% në muajt qershor 2023-qershor 2024.
Kjo nënkupton se një apartament është dhënë 10 ditë me qira./MONITOR