Shtimi i mjeteve lundruese turistike ka ngritur alarmin e ndotjes mjedisore në të gjithë vijën bregdetare të vendit. Përveç mbetjeve që hidhen nga vetë pushuesit dhe bizneset është kthyer në shqetësim dhe derdhja në det e mbetjeve plastike dhe karburantit nga anijet dhe skafet.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, kanë qenë sot në terren dhe u ndalën në disa prej plazheve, pjesë e bashkisë Himarë dhe Sarandë.
Balluku e cilësoi të nevojshme ndërhyrjen e forcave të ushtrisë në këto momente për ti dhënë një zgjidhje të shpejt situatës, për shkak të sezonit turistik që po vijon, ndërsa me përfundimin e tij do të bëhet një analizë më e plotë për të përcaktuar masat dhe hapat që do të ndërmerren në vijim.
“Ne e konsiderojmë në këto momente të një rëndësie të veçantë ndërhyrjen e ushtrisë, qoftë nga toka, me trupat që mund të ndihmojnë bashkitë, por qoftë dhe nga deti. Ndërkohë që do të duhet, nga çfarë po kuptohet, që pas përfundimit të sezonit të bëjmë një analizë të mirëfilltë të të gjithë situatës për të nxjerrë mësime nga ky numër i shtuar sepse çdo vit nga sa kuptohet ne arrijmë që të identifikojmë të tjera pika të dobëta që dalin në sipërfaqe.
Sezoni i vitit të kaluar u mbyll me sukses, u mitiguan të gjitha problematikat që u vunë re gjatë atij sezoni, por këtë vit me një numër të shtuar, një numër ekspansional për Shqipërinë, të vizitorëve, sigurisht ne po zbulojmë pika të tjera të dobëta të cilat nuk kanë qenë shfaqur më parë dhe duhen mitiguar sa më shpjet, brenda këtij sezoni. Dhe ne duhet të jemi të përgatitur për sezonin tjetër”, tha Balluku.