Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas incidentit të ndodhur sot në mbledhjen Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku Tedi Blushi tentoi të godiste me letra Erion Veliaj dhe më pas u përplas fizikisht me anëtarin socialistë të këshillit Halit Valteri.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Meta e cilëson Valterin një zar të Veliajt. Meta thotë se PL tashmë është në gjendje lufte me kryebashkiakun Erion Veliaj.
Postimi i Metës
Akti sulmues i Prindit 2 Erion Veliaj dhe zarit të tij Halit Valteri ndaj këshilltarit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, z.Tedi Blushi do të marrë shumë shpejt përgjigjen e merituar demokratike dhe shqiptare.
Nga sot Partia e Lirisë është në gjendje lufte me kryehajdutin e Tiranës Lali fikun dhe ordinerët përqark tij.
Partia e Lirisë është në gjendje lufte me tutorët dhe protektorët e këtij fëlliqësire që vrau Ardit Gjoklajn.
Partia e Lirisë do t’ju mësojë të gjithëve se nuk jemi komb eksperimental por Shqiponjash.
Nuk ka tutor dhe protektor në botë që e ndalon Drejtësinë tonë!