Është vënë në pranga disa orë pas ngjarjes, autori i plagosjes në plazhin e Tales në Lezhë ditën e sotme, pas një sherri për një vajzë.
Nga konflikti për motive xhelozie mbeti i plagosur shtetasi Alfred Marku, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Sipas informacioneve, autori, 30-vjeçar kishte shkuar në plazh dhe ka qenë i shoqëruar me një vajzë, të cilën dyshohet se Marku e ka ngacmuar.
Mësohet se fillimisht ata kanë debatuar me tone të ashpra, e më tej Lucaj ka marrë një armë zjarri, pistoletë dhe ka plagosur 27-vjeçarin.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. L, 30 vjeç, banues në Rrillë, Lezhë.
Arrestimi i tij u bë pasi rreth orës 13:30, në një zonë larg pushuesve në plazhin Tale, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta (motive xhelozie), ky shtetas ka plagosur me armë zjarri shtetasin A.M., 27 vjeç, banues në Zejmen, Lezhë.
30 vjeçari pasi kreu plagosjen, u largua me një automjet në drejtim të autostradës, por brenda pak orëve u vu në pranga”, njofton policia.
Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.