Pasi grupi i Sali Berishës, mori vulën e PD më 11 qershor, Flamur Noka i është drejtuar me një letër Lulzim Bashës më 1 korrik duke i kërkuar që të mos i përdor simbolet PD.
Në letrën e siguruar nga “Opinion.al”, Noka i kujton Bashës se përdorimi i simboleve të PD nga ana e tij përbën vepër penale dhe nëse nuk repsketohet, PD do i drejtohet drejtësisë për të marrë masat.
Në letër kërkohet gjithashtu që brenda 3 ditëve të dorëzohet çdo aset i Partisë Demokratike, ku përfshihen ambientet e marra me qira, llogari bankare si edhe faqet zyrtare të PD në rrjetet sociale.
Letër e plotë
Ashtu si edhe jeni në dijeni, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, me anë të vendimit nr.723 datë 11.06.2024 ka vendosur mospranimimin e ankimit ndaj Vendimit nr.3 datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke i dhënë këtij të fundit formë të prerë dhe duke e bërë menjëherë të ekzekutueshëm. Objekti i kësaj vendimarrje çertifikon ligjërisht shkarkimin tuaj si ish kryetar i Partisë Demokratike dhe bën njohjen përfundimtare të organeve të reja drejtuese dhe përfaqësuese të PDSH.
Përsa më sipër, duke konsideruar se ligjërisht efektet e vendimit nr.723 dat 11.06.2024 fillojnë menjëherë, që në datën e marrjes së tij, pavarësisht nga vënia në dispozicion e vendimit të arsyetuar, kërkojmë nga ana juaj që të merrni të gjitha masat për të ndaluar çdo lloj veprimi që ju ose të autorizuarit prej jush mund të kryeni lidhur me asetet e Partisë Demokratike të Shqipërisë që nga data 11.06.2024. Këto asete përfshijnë por nuk kufizohen në, ambjente të marra me qera nga ana e PDSH, llogari bankare të PDSH, domain zyrtar i internetit të PDSH si dhe faqet zyrtare të PDSH në rrjetet sociale Facebook, Instagram, Tik Tok etj.
Gjithashtu kërkojmë nga ana juaj që të mos përdorni simbolet identifikuese të PDSH të cilat me vendimarrjet e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021 të PDSH janë shfuqizuar si dhe në komunikimin publik të mos t’i drejtoheni publikut si Partia Demokratike e Shqipërisë për sa kohë nuk keni asnjë tagër përfaqësimi.
Ftojmë të caktoni përfaqësuesit tuaj që brenda tre ditëve nga marrja e kësaj shkrese të kryeni veprimet përkatëse për dorëzimin ligjor të çdo aseti të PDSH i cili ndodhet në administrimin tuaj.
Ju bëjmë me dije që administrimi i çdo aseti të PDSH që nga data 11.06.2024 është nën një monitorim të vazhdueshëm nga ana jonë dhe për çdo veprim mbi to, i cili bie ndesh me interesat e PDSH nga ana jonë do të bëhet kallzim penal në organet kompetente, SPAK, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe eventualisht do të kërkojmë dëmshpërblim në rrugë gjyqësore mbi pasuritë personale të personave përgjegjës, të cilët me veprime ose mosveprime cënojnë interesat e Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Duke ju uruar punë të mbarë,
NË EMËR TË KOMISIONIT TË RITHEMELIMIT
SEKRETARI I PËRGJITHSHËM I PDSH
Flamur Noka