Është përjashtuar nga Policia e Shtetit, nënkomisari i Komisariatit NR.4, Kastriot Palushi një ditë pasi u arrestua nga AMP për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas AMP, arrestimi i Palushit u bë i mundur pasi nga hetimi i kryer, u administruan prova dhe fakte që ky punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet e policisë gjyqësore, ka kërkuar dhe marrë shumën monetare prej 50.000 lekësh, duke premtuar shmangien nga përgjegjësia penale ndaj një shtetasi, i cili disa ditë më parë ishte kallëzuar nga një tjetër shtetas për kanosje.
Kreu i policisë, Muhamet Rrumbullaku firmosi masën disiplinore për përjashtim, ndërsa po ashtu ka nisur hetim i thelluar disiplinor për sistemin drejtues.
“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, firmosi masën disiplinore “përjashtim nga policia” për një punonjës, për të cilin Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kryer arrestimin në flagrancë, në vijim të hetimeve nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Bazuar në ligjin 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe Rregulloren e Policisë së Shtetit, përjashtimi i nënkomisar Kastriot Palushi, me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë, është bërë për veprime korruptive, sjellje të rëndë diskretituese, shkelje të rëndë të atributeve, shkelje të kompetencave të policisë dhe mosbindje të rëndë.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, kërkoi nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, kryerjen e një hetimi të thelluar disiplinor, jo vetëm për punonjësin e policisë, por për të gjithë sistemin drejtues të Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë.
“Duhet të evidentohet shumë qartë, me një punë të shpejtë dhe profesionale, e gjithë përgjegjësia e linjës drejtuese për sa i përket rastit konkret, duke marrë masat përkatëse. Drejtuesit e strukturave ngarkohen me përgjegjësi direkte për veprimet e tyre dhe të vartësve, ndaj kërkoj një verifikim të plotë të rastit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 në Tiranë”, u shpreh Rrumbullaku.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, vlerësoi bashkëpunimin me AMP-në e Prokurorinë dhe shprehu angazhimin maksimal për thellimin e tij”, thuhet në njoftim.