Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur në prag të ndeshjes së dytë të Europianit, ndaj Kroacisë.
Në një prononcim për emisionin “Euro Zone” në Tv Klan, Duka deklaroi se ka ndjenjë pozitive se Shqipëria do të fitojë sot.
Sipas tij, ekipi nuk duhet të ketë presionin që kishte ndaj Italisë, por të japë më të mirën në fushë.
“Para çdo ndeshje të gjithë kanë emocione. Kisha emocione me Italinë, por kam edhe sot, por në nivelin e pranueshëm në prag të ndeshjes.
Edhe opinioni, edhe ne, nuk është se jemi të pakënaqur me humbjen, padyshim që duhet fituar çdo ndeshje, por opinioni dhe ne kërkojmë lojë të bukur dhe grintë. Italisë ia falëm fushën për 30 minuta. Është presioni në një ndeshje të parë, nuk luajmë shpesh në të tilla kompeticione.
Çunat nuk i kam ngacmuar sot. Ne nuk kemi ardhur këtu për kampionë Europe, por për të dhënë më të mirën tonë. Nëse e shkarkojmë ngarkesën emocionale, mund të marrin rezultat. Nën presion është e vështirë. Shpresoj që skuadra të mos e ketë presionin siç e kishte ndaj Italisë.
Lojtarëve i thashë se unë jam krenar, por edhe të gjithë shqiptarët janë krenarë për ta. Pavarësisht se në rrjetet sociale, shprehin ndonjë zhgënjim, por të gjithë shqiptarët i shohin si heronj. Sot kam ndjenjë pozitive. Kroacia ka lojtarë të mëdhenj. Kam besim se mund ta fitojmë ndeshjen sot.”, tha ai.
I pyetur për Hysajn, Duka deklaroi se nuk ndërhyn kurrë në vendimet e trajnerit, ndërsa theksoi se të gjitha lojtarët e Kombëtares duhet të mbështeten.
“Kam shumë kohë në drejtimin e Federatës dhe nuk kam biseduar kurrë me trajnerët për zgjedhjet. Është zgjedhje e trajnerit dhe vendimet i merr ai. Askush nuk ka të drejtë të sulmojë Ne duhet ta mbështesim Hysajn dhe të gjithë lojtarët e Kombëtares.
Komplimenti më i madh është për tifozët që e kanë mbështetur skuadrën. Kanë treguar një sjellje më europiane sesa europianët. Kanë qenë tifozeria më simpatike. Pasqyrimi i të gjitha mediave është shumë i rëndësishëm. Shpresojmë në një fitore sot.”, deklaroi Duka./tvklan