Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, një nga 2 festat më të rëndësishme në kalendarin e myslimanëve.
Mesazhe urimi kanë ardhur edhe nga politika shqiptare për këtë festë të rëndësishme për komunitetin myslimanë.
Presidenti Bajram Begaj ka uruar besimtarët myslimanë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku shprehet se kjo festë bart mesazhin e sakrificës sublime duke mundur egoizmin, zemërimin dhe lakminë.
“Kurban Bajrami është akt arsyeje dhe vullneti, me anë të të cilit ne kuptojmë madhështinë e mesazhit hyjnor dhe përpiqemi të përmbushim rolin tonë për të bërë të mira e për t’iu gjendur pranë atyre që nuk kanë mundësi. Vetëm ky reflektim i gjithsecilit bën të mundur një shoqëri më të mirë e më të drejtë. Gëzuar për shumë vjet Kurban Bajramin”, shkruan Begaj.
Një urim të shkurtër erdhi nga kryeministri Edi Rama. Në rrjetet sociale ai postoi një foto me përshkrimin: “Gëzuar Kurban Bajramin.”
Ish-kryeministri Sali Berisha ka uruar gjithashtu të gjithë besimtarët myslimanë në Shqipëri për Kurban Bajram. Në mesazhin e tij, Berisha uron që Bajrami që vjen të gjejë më mirë të gjithë shqiptarët.
“Gëzuar Kurban Bajramin! Të dashur miq, sot myslimanët shqiptarë në Shqipëri dhe kudo që janë festojnë Kurban Bajramin, ditën e mëshirimit, durimit, përkushtimit dhe sakrificës të njeriut për Krijuesin, veten, familjen, vendin e tij”, shkruan Berisha.
Edhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Ai zgjodhi qytetin e Kavajës për të përcjellë urimin e tij.
“GËZUAR KURBAN BAJRAMIN!
Kënaqësi t’ju uroj këtë Festë të Shenjtë, simbol të sakrificave dhe humanizmit, pikërisht nga Kavaja, qyteti simbol i traditave dhe vlerave”, shkruan Meta.
Një urim nuk ka munguar as nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
“Me rastin e Festës së Kurban Bajramit, uroj besimtarët myslimanë dhe qytetarët që festojnë e ndajnë me ta harenë e kësaj dite të bukur. Kjo ditë na frymëzon që dashurinë për Zotin ta kemi edhe për njëri-tjetrin, sakrificën në emër të besimit ta bëjmë pjesë të jetës, përkushtimin ndaj Zotit ta tregojmë edhe ndaj atyre që kanë nevojë për ne. Shëndet, gëzime e bekime për të gjithë!”, shkruan Nikolla.