Sot nis zyrtarisht Kampionati Europian që do të zhvillohet në Gjermani. Ndeshja e parë do të jetë mes vendit pritës dhe Skocisë që do të zhvillohet në orën 21:00 në Mynih.
Pak para sfidës do të jetë edhe ceremonia e hapjes së Euro 2024. UEFA është duke punuar për detajet e fundit.
Megjithatë me siguri dihet që në nisje të këtij eventi do të bëhen homazhe në nder të legjendës gjermane, Franz Beckenbauer, i cili ndërroi jetë gjatë këtij viti.
Ish-kapiteni i kombëtares gjermane Bernard Dietz dhe Jurgen Klinsmann do t’i bashkohen gruas se Beckenbauer dhe do të dërgojnë trofeun e Kampionatit Europian në fushë para se të nisë turneu. Me këtë gjest organizatorët duan të nënkuptojnë se të tre brezat e Gjermanisë që kanë fituar Europianin janë të përfaqësuara në ceremoni.
Më vonë do të ketë një performancë të artistëve si Meduza, grupit OneRepublic dhe këngëtares Leony që kanë kënduar këngën zyrtare të turneut. Përveç ceremonisë zyrtare në Mynih, edhe në fan zonat në qytetet gjermane do të ketë perfomanca nga artistë të njohur.
Kujtojmë që ndeshjen hapëse dhe të gjithë sfidat e tjera të Euro 2024 mund t’i ndiqni vetëm në Tv Klan.