Deputeti i PD Luan Baçi u ka kërkuar kolegëve të mazhorancës që të mos propozojnë më masa disiplinore te Komisioni i Etikës. Sipas tij, ky i fundit është i njëanshëm dhe merr vendime të padrejta për përjashtimin e deputetëve të opozitës.
“Janë shqetësuar nga sjellja e deputetëve të opozitës në seancën e kaluar dhe kanë propozuar masë. Është e turpshme që përdoreni nga kreu i juaj, duke propozuar masa pa ditur, pa parë e pa dëgjuar asgjë. Komisioni i Etikës pse nuk paraqet prova filmike? Pse bëjnë diferencim në marrjen e masave? Keni përjashtuar Sekretarin e Përgjithshëm me 10 ditë, e keni mësuar mirë dorën me të. Mundohuni të zbatoni rregulloren, që të jetë e drejtë”-tha deputeti.
Baçi e bëri të qartë se tashmë PD është një dhe e vetme, me kryetar Sali Berishën. Për kryedemokratin, tha se shumë shpejt do i bashkohet Parlamentit.
“Lini presionin mënjanë, tashmë PD është e bashkuar dhe nuk lozim dot më me fjalë. Ku është vula e flamuri, janë këtu te PD. Se keni më luksin që të talleni me PD. Kryetar është Sali Berisha dhe së shpejti do ta keni edhe këtu në Parlament. Kërkoj që kryetarja e Kuvendit të mbajë fjalën, që ta bëjë pjesë të grupit parlamentar Berishën”,-tha Baçi.