Është publikuar formacioni me të cilin Shqipëria do të zbresë në fushën e lojës në sfidën e parë miqësore para Euro 2024, atë ndaj Lihtenshtejnit.
Në portë do të jetë Etrit Berisha, ndërsa qendra e mbrojtjes do të përbëhet nga Ismajli dhe Ajeti, Gjimshiti do të mungojë në këtë miqësore pasi një ditë më parë u aktivizua në ndeshjen e Serie A Atalanta-Fiorentina.
Nga krahët në mbrojtje do ta nisin titullar Balliu dhe Mitaj. Në mesfushë do të luajnë Asllani, Gjasula dhe Bajrami. Në sulm, Sylvinho ka vendosur të aktivizojë në formacion Asanin në të djathtë, Hoxhën në të majtë dhe Brojën në krye të sulmit.
Pritet të jetë më shumë një ndeshje testimi për “Kuqezinjtë” e drejtuar nga tekniku Sylvinho sesa një përballje ku tekniku të provojë diçka në aspektin e përgatitjes taktike, ndërkohë në faqen zyrtare të Federatës është publikuar një video nga dhomat e zhveshjes me të gjitha fanellat e futbollistëve.
Tanimë, “Kuqezinjtë” janë gati për të dhuruar një paraqitje të shkëlqyer në këtë sprovë të parë, teksa në Evropian do të përballen me Kombëtare shumë të forta si Italia, Kroacia dhe Spanja, në grupin B.