Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 27-vjeçar, të cilit iu gjet në automjet, një sasi lënde narkotike e ndarë në rreth 530 doza e gatshme për shitje.
Po ashtu është proceduar penalisht një 17-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor për shitjen e dozave.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Delta Force, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli 3”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas po transportonte me automjet, një sasi lënde narkotike, me qëllim shitjen e saj, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. J., 27 vjeç, banues në Fier.
Në fshatin Kuç, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin Xh. J. dhe pasagjer shtetasin L. Z., shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. Z., 17 vjeç, pasi dyshohet se bashkëpunonte me shtetasin Xh. J., për shitjen e dozave të lëndëve narkotike, në zona të frekuentuara në qytet”,-njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.