Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur këtë të hënë për shkarkimin e kryetarit Alfred Balla.
Mbledhja drejtohet nga nënkryetari Tartar Bazaj. Të pranishëm janë 10 anëtarë.
Bazaj, në nisje të mbledhjes tha se ishte i detyruar ta thërriste këtë mbledhje, ndërsa bëri me dije se Alfred Balla nuk ndodhet aty për shkak të konfliktit të interesit.
Më 21 Maj, Kolegji i Posaçëm i Apelit vendosi që ai të mos ushtronte detyrën në asnjë institucion të drejtësisë për 15 vite.
“Trupi gjykues e gjen të drejtë ankimin e Komisionerit publik duke konkluduar se vendimi i KPK-së është i pabazuar në fakte e ligj dhe si i tillë duhet ndryshuar. Trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr. 675 të KPK-së si më poshtë: Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën. Subjekti i vlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, Inspektor i Lartë i Drejtësisë apo Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare”, thuhej në vendimin e KPA.
Sipas KLP, Balla ka refuzuar t’i nënshtrohet vetting-ut. Ndërkohë ky i fundit në reagimin e tij në rrjetet sociale, e cilësoi “vendim të turpshëm”. Ai paralajmëroi se çështjen do e apelojë në Gjykatën e Strasburgut.