Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zhvillojë në 27 maj një mbledhje ku do të përcaktohet nëse Alfred Balla mund të qëndrojë ose jo në funksionin e kryetarit të KLP-së, pas vendimit të dhënë nga KPA që vendosi nxjerrjen e tij nga sistemi për 15 vite, bazuar në procesin e vetting.
Mbledhja e KLP është thirrur nga nënkryetari Tartar Bazaj dhe do të mbahet në orën 11:00 të së hënës.
“Kjo mbledhje do të organizohet në sallën e mbledhjeve të Këshillit, në prezencë të Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe të ftuar përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Programet EU4JUSTICE dhe OPDAT. Media si gjithmonë është e ftuar të jetë e pranishme.
Diskutimi i ndikimit ose jo të vendimit Nr.23, datë 21.05.2024 të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit mbi statusin e anëtarit të KLP-së, të zgjedhur nga Parlamenti si pjesë e Shoqërisë Civile Shqiptare, zotit Alfred Balla”, thuhet në njoftimin e KLP.