Gjykata e Lartë në Londër ka vendosur në favor të themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange për të apeluar vendimin për ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara.
Ekipi ligjor i Assange argumentoi se gjyqtarët Victoria Sharp dhe Jeremy Johnson nuk duhet të pranojnë garancitë e dhëna nga prokurorët amerikanë, sipas të cilave themeluesi i WikiLeaks mund të kërkojë të mbështetet në të drejtat dhe mbrojtjen sipas Amendamentit të Parë të SHBA-së.
Ekipi i tij ligjor ngriti çështjen që Assange mund të diskriminohej në bazë të kombësisë së tij, si një shtetas i huaj i lindur në Australi.
Në një vendim të shkurtër, gjyqtarët shprehen se kërkesat e SHBA-së nuk ishin të mjaftueshme, duke i dhënë Assange lejen për një apel të plotë në lidhje me pikat mbi lirinë e fjalës dhe kombësinë.
Nuk është caktuar ende një datë për apelimin e plotë.
Assange kërkohet nga autoritetet amerikane për akuza spiunazhi lidhur me publikimin e mijëra dokumenteve të klasifikuara dhe kabllogrameve diplomatike nga organizata e tij në vitet 2010-2011. Nëse dënohet, ai mund ta kalojë pjesën e mbetur të jetës së tij pas hekurave.