Shqipëria dhe Serbia kanë dorëzuar në UEFA kërkesën e përbashkët për të organizuar finalet e Euro 2027 për U-21.
Lajmin e ka konfirmuar kreu i FSHF-së, Armand Duka në një bisedë me gazetarin Blendi Fevziu.
Duka tha se duhen tetë stadiume dhe në mungesë të tyre është bërë një lëvizje e tillë, me sportin që bashkon popuj.
”Në 2027 ne jemi vend kandidat për të organizuar Kampionatin Evropian për U-21. Duke qenë se ne nuk plotësojmë kushtet për të organizuar një kampionat vetëm në Shqipëri, pasi duhen tetë stadiume minimalisht, ne jemi bashkuar me Serbinë në një kandidaturë për të organizuar një kampionat në Shqipëri dhe Serbi.
Mendoj se kjo është një lajm i mirë për futbollin shqiptar dhe për futbollin serb, për popullin shqiptar, për popullin serb. Në fund të fundit ne organizojmë dhe nëpërmjet sportit, pse jo të kemi një jetë më të mirë”, shtoi kreu i FSHF-së.