Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, në vitin e shkuar janë evidentuar rreth 33 mijë e 800 vepra penale, 1,1 % më shumë, krahasuar me vitin 2022.
Veprat penale që kanë njohur rritje janë krimi në fushën e drogës, vjedhja, dhuna në familje si dhe krimi me dashje kundër shëndetit, ndërsa pjesa tjetër e veprave penale ka pësuar rënie.
Nga 42 vrasje me dashje në 2022 numri ka shkuar në 34 në vitin 2023. Numri i autorëve të krimeve ka shkuar kështu në rreth 39 mijë, duke njohur një rritje me 3,4 %.
Shumica e tyre rezultojnë të grup-moshës 30-44 vjeç, pasuar nga grup-mosha 18-29 vjeç.
Ajo që vihet re është rritja e krimeve të kryera nga femrat.
Nëse në vitin 2022 ato zinin 5.7% të totalit të autorëve të veprave penale, në vitin e shkuar 6.8% e krimeve janë kryer nga gjinia femërore.
Edhe numri i personave të dëmtuar si pasojë e krimeve ka njohur rritje me gati 25%, duke shkuar kështu në 17 mijë persona të dëmtuar.
Shumica janë Personat e dëmtuar për krime kundër personit. Gati 37% e tyre ishin femra dhe përqindja më e madhe vihet re në krime seksuale, krime kundër fëmijëve, martesës dhe familjes si edhe krime kundër moralit dhe dinjitetit.
Tv Klan