Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me burg përjetë Laert Haxhiun.
Ai akuzohet për masakrën e Lushnjes në 2017, ku mbetën të vrarë dy të rinj dhe u plagosën edhe dy të tjetër.
Haxhiu, i njohur ndryshe si “rivali i Aldo Bares, ish-kreut të bandës së Lushnjës, vrau Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën si dhe plagosi Marjus Xhepexhiun dhe Bujar Turkut në Lushnjë. Shënjestra ishte Xhulio Shkurti, nipi i ish-kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare.
Kujtojmë se Laert Haxhiu mbahet i arrestuar në Greqi prej rreth një viti. Ndërsa autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e tij, pasi rezulton i përfshirë edhe në ngjarje të tjerë kriminale.
Ai është dënuar me 19 vite burg nga gjykata e Lushnjes për një tjetër atentat ku u plagosën disa persona dhe sërish objektivi i sulmit ishte Xhulio Shkurti. Po kështu, emri i Laert Haxhiut doli nga dëshmia e Artan Tafanit, që tregoi se grupi i Haxhiut ka organizuar katër vrasje dhe disa ngjarje të rënda kriminale që kanë ndodhur në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë. /Opinion.al