Armando Sadiku ka fituar titullin kampion me ekipin e Mohun Bagan në Indi. Sulmuesi shqiptar festoi këtë sukses vetëm në javën e fundit pasi mundi 2-1 ekipin Mumbai që kishte kryesuar kampionatin prej javësh.
Përveçse u shpall kampion në Indi, Sadiku është vlerësuar si një ndër 5 lojtarët më të mirë të kampionatit indian.
Sadiku ishte titullar në këtë finale për kampionatin dhe qëndroi në fushë për 62 minuta. Në fund ai festoi trofeun me shokët e skuadrës. Një triumf mëse i merituar për shqiptarin që tani ka rritur ambiciet e tij për të synuar pse jo dhe më lart ndërsa mbetet një alternativë edhe për trajnerin Silvinjo për listën përfundimtare në Gjermani.
Armando Sadiku u transferua te Mohun Bagan në Indi në qershor të vitit 2023, pasi mbylli aventurën në Spanjë te Kartagjena.
Pavarësisht kulturës tejet të ndryshme, sulmuesi shqiptar arriti të kthehej në protagonist në Superligën indiane prej sezonit të parë.
Me 21 ndeshje të luajtura, nga të cilat 11 si titullar, Sadiku regjistroi 8 gola dhe një asist. Sulmuesi kuqezi ishte absolutisht një prej lojtarëve më të rëndësishëm për ekipin nga Kalkuta në fitimin e titullit kampion.