Lulzim Basha ka mbajtur ditën e sotme fjalën e tij në Asanblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Ai u ka bërë thirrje anëtarëve për dhënien e votës së tyre për rezolutën për Rindërtimin e Ukrainës.
Më tej, ai thekson faktin se qeveria ruse duhet të mbaj përgjegjësi për humbjet njerëzore dhe materiale që i ka shkaktuar shtetit ukrainas.
“Ndërsa Rusia vazhdon të kryejë luftën e saj shkatërruese dhe krime lufte në Ukrainë, është e qartë që Ukraina ka nevojë për ndihmë të madhe për të adresuar dëmet dhe shkatërrimet dhe për të rindërtuar infrastrukturën e saj. Qeveria ruse duhet të mbajë përgjegjësi për kompensimin e humbjeve njerëzore dhe materiale që ka shkaktuar. Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për shkatërrimin e Ukrainës.
Ne kërkojmë ngritjen e një fondi ndërkombëtar, ku do të depozitohen të gjitha asetet shtetërore ruse të konfiskuara, duke siguruar transparencën, përgjegjësinë dhe drejtësinë në shpërndarjen e fondeve që duhet të përdoren për kompensimin për Ukrainën dhe personat e prekur nga agresioni rus në Ukrainë, si dhe për të ndihmuar në përpjekjet për ringritjen dhe rindërtimin e Ukrainës.
Dhe ne mbështesim themelimin e një komisioni ndërkombëtar për pretendimet mbi dëmet e renditura në Regjistër, nën ombrellën e Këshillit të Europës.
Teksa përjetojmë një moment të rëndësishëm në shekullin e 21-të, ne po ndërmarrim veprime të përbashkëta për të ruajtur dhe përforcuar bashkëpunimin tonë kundër luftës së paligjshme të agresionit të Rusisë.
Me votën tonë sot ne rikonfirmojmë se mbetemi të palëkundur në qëllimin tonë:
të forcojmë Ukrainën në mënyrë që pasojat – duke përfshirë dhe ato financiare – të agresionit rus, të shërbejnë si pengesë ndaj çdo agresioni të ardhshëm, dhe të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa do të duhet, për të mposhtur plotësisht dhe pa kushte agresionin rus”,- u shpreh Basha në fjalën e tij.