Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani priti prokurorin e përgjithshëm të Mbretërisë së SpanjësÁlvaro García Ortiz, që po zhvillon një vizitë pune në vendin tonë.
Metani i paraqiti punën dhe sfidat e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë si institucioni kushtetues që merret me verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve në Shqipëri.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë e njohu Álvaro García Ortiz me eksperiencën e ILD-së me homologët e Shërbimit të Inspektimit të Drejtësisë të Spanjës në kuadër të Rrjetit European të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ), marrëdhënies dypalëshe e formalizuar me një marrëveshje bashkëpunimi një vit më parë e së fundi me ekspertët spanjollë të projektit të BE-së, EU4Justice, që mbështesin ILD-në në drejtim të forcimit të kapaciteteve profesionale.
Álvaro García Ortiz pasi e falenderoi Metanin për mikpritjen dhe shprehu konsiderata për bashkëpunimin e ILD-së me ekspertët spanjollë në kuadër të projektit EU4Justice. Duke diskutuar për filozofinë e punës së ILD-së, për gjetjen e balancës mes interesit publik për administrimin e drejtësisë dhe respektimit të pavarësisë së magjistratëve, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm i Mbretërisë së Spanjës bashkëndanë mendimin, se pavarësia e magjistratëve mbetet baza ku mbështeten themelet e shtetit të së drejtës dhe element kyç për funksionimin e çdo demokracie, me rëndësi të veçantë për rrugëtimin e Shqipërisë drejt antarësimit në Bashkimin Europian.
Bashkëbiseduesit nënvizuan se pavarësia e çdo gjyqtari e prokurori është garanci për të drejtat kushtetuese të çdo qytetari, për të parandaluar çdo cënim të atyre të drejtave nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ. Kontributi i cdo institucioni për një sistem të pavarur drejtësie është thelbësor edhe për forcimin dhe ruajtjen e besimit të publikut në sundimin e ligjit.