Më shumë akte dhune, më shumë vjedhje, më shumë vjedhje banesash: Në mbarë Gjermaninë, vitin e kaluar u regjistruan 5,94 milionë vepra penale thotë DW.
Numri i rasteve (rreth 214.000) është rritur sipas statistikës me 8,6 përqind krahasuar me vitin 2022. Ky është niveli më I lartë që nga viti 2007. Ndjeshëm janë shtuar vjedhjet, me kategorinë e vjedhjeve të vogla që regjistron rreth 1,97 milion raste, 10,7 përqind më shumë se në 2022. Gjithsej në vend rezulton të ketë pasur më shumë vepra penale si asnjëherë më parë që nga viti 2016. Ministrja e Brendshme socialdemokrate, Nancy Faeser gjatë prezantimit të statistikës në Berlin tha, se ky zhvillim kërkon “ndërhyrjen e nevojshme dhe sipas mendimit tim të ashpër të shtetit të së drejtës” ashtu si edhe përforcimin e masave parandaluese.
Ajo insistoi megjithatë se pavarësisht rritjes së numrit të veprave penale, Gjermania “vazhdon të jetë një nga vendet më të sigurta të botës”. Në mënyrë të veçantë, vitin që shkoi është shtuar kriminaliteti nga të huajt. Numri i të pandehurve jo gjermanë është rritur me 17,8 përqind në rreth 923.000. Sipas Faeser, ata që kryejnë vepra penale pa pasur pasaportë gjermane “duhet të largohen shumë më shpejt nga Gjermania pa ngurruar si deri më sot”. “Kush nuk respekton rregullat, duhet të largohet”, ishte mesazhi i qartë i saj. Kryetari i Konferencës së Ministrave të Brendshëm, ministri i Brendshëm i Brandenburgut, kristiandemokrati Michael Stübgen theksoi, se kuota joproporcionale e të pandehurve të huaj nuk duhet të çojë në dyshim kolektiv.
“Miliona të huaj jetojnë këtu dhe nuk kryejnë vepra penale. Ata që kryejnë vepra penale dhe duhet të largohen nga Gjermania, duhet të dëbohen me konsekuencë. Integrimi është mjeti më i mirë kundër kriminalitetit të emigrantëve”, theksoi ai.