Franca do t’i dërgojë Ukrainës qindra autoblinda të vjetra dhe raketa të reja tokë-ajër, në mënyrë që Kievi t’i përdorë në luftën kundër Rusisë, tha ministri i Mbrojtjes së Francës, Sebastien Lecornu.
Në një intervistë për La Tribune Dimanche, Lecornu tha se presidenti francez, Emmanuel Macron, pas bisedës me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, i kërkoi atij të përgatitej për një paketë të re të ndihmës, që përfshinë pajisje të vjetra franceze, por ende funksionale.
“Ushtria ukrainase ka nevojë të mbrojë vijën e gjatë të frontit, gjë që kërkon autoblinda. Këto pajisje janë thelbësore për lëvizshmërinë e trupave dhe janë pjesë e kërkesave ukrainase”, tha ai.
Ai tha se Franca synon t’i japë Ukrainës qindra autoblinda të llojit VAB dhe dërgimi i tyre do të bëhet më 2024 dhe në fillim të vitit 2025.
Ushtria franceze vazhdimisht zëvendëson mijëra autoblinda VAB, mjete të cilat për herë të parë u përdorën në fund të viteve ’70.
Lecornu shtoi se Franca po ashtu po përgatitet që t’i japë sërish raketa tokë-ajër të llojit Aster 30, që përdoren për sistemin SAMP/T, që Parisi i ka dhënë Kievit.
Raketat Aster 30 mund të shkatërrojnë avionët luftarakë, dronë dhe raketat lundruese në një rreze veprimi prej 120 kilometrash.
“Ukraina ka nevojë urgjente për mbrojtje më të mirë tokë-ajër… Rusia po intensifikon sulmet, veçmas ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile”, tha ai.
Ministri francez po ashtu tha se shteti i tij po përshpejtojnë prodhimin e municioneve në mënyrë që deri në verë t’ia dërgojë Ukrainës.
Ndryshe, Macron muajin e kaluar sugjeroi për mundësinë që shtetet evropiane të dërgojnë trupa në Ukrainë-shtet që po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia më 2022-ide që është përballur me kritika nga udhëheqësit e tjerë evropianë./REL