Në mbarë botën njerëzit po vuajnë nga gjumi dhe për këtë arsye BBC ka shkruar një artikull përmes të cilit udhëzon njerëzit për të fjetur sa më mirë të munden.
Vetëm në SHBA mendohet se vuajnë nga mos ngopja me gjumë rreth 50 deri në 70 milionë njerëz. Në shkallë botërore kjo është konsideruar si epidemi. Megjithatë me disa rregullime të thjeshta, psikologjike dhe fizike, mund të përmirësohet cilësia e gjumit. Udhëzuesin me shtatë këshilla na e jep BBC që është frymëzuar nga kërkimet më të fundit shkencore, por edhe disa truqe që janë harruar prej kohësh.
Gjumë me “dy turne”
Sot kur njerëzit zgjohen në mes të natës, nuk është e pazakontë të panikosen, pasi priremi të besojmë se duhet të vazhdojmë të flemë për tetë orë rresht. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Për vite me radhë, njerëzit bënin një gjumë të shkurtër në fillim dhe më pas zgjoheshin. Këto boshllëqe të vogla gjumi mbusheshin me aktivitete të ndryshme, duke nisur nga punët e shtëpisë, e deri tek thashethemet. Pastaj pas disa orësh, njerëzit ktheheshin në shtrat dhe flinin deri në mëngjes. Kjo është praktika e lashtë e harruar e “dy gjumërave”. Ishte Roger Ekirch, një profesor në Virginia që e rizbuloi si praktikë.
Gjumë sipas stinëve
Po ta vini re, me ardhjen e pranverës keni nevojë për më pak gjumë dhe jemi më të lehtë për t’u ngritur nga shtrati në mëngjes. Kërkimet tregojnë se kemi nevojë për më shumë gjumë gjatë muajve të dimrit ku netët janë më të ftohta. Kjo ndodh për shkak se njerëzit përjetojnë gjumin sezonal. Një studim gjerman zbuloi se njerëzit përjetojnë gjumë më të gjatë dhe më të thellë në Dhjetor sesa në Qershor.
Përpiquni të dremisni pak
Të dremisni pak i bën mirë shëndetit tonë. Sipas një studimi në vitin 2023, dremitja ndihmon për ta mbajtur trurin tonë më të madh për shumë më gjatë dhe mund të ndihmojë në shtyrjen e plakjes së tij nga tre deri në gjashtë vjet. Gjumi i shkurtër që zgjat jo më shumë se 15 minuta mund të përmirësojë performancën tonë mendore, me rezultate që zgjasin deri në tre orë pasi zgjohemi. Çelësi i suksesit në këto raste është që të dremisni në afate të shkurtra dhe të ndodhë në mesditë në mënyrë që të mos prishë gjumin e natës.
Kujdes nga gjumi “mikro”
Kjo lloj dremitje nuk është më e mira për ne. Disa prej tyre zgjasin vetëm me sekonda dhe mund të rezultojnë në dëmtime serioze, për shembull kur jeni në drejtimin e makinës. Nga një analizë që është bërë në Japoni tek 52 shoferë rezulton se tre të katërtat e tyre shfaqnin shenja të këtij lloji gjumi para se të përfshiheshin në aksidente. Këto lloj dremitjesh janë më të zakonshme tek njerëzit që vuajnë nga narkolepsia ose tek ata që nuk flenë mjaftueshëm gjatë natës.
Qëndroni komodë dhe të përqafuar
Përgjithësisht jemi mësuar që të flemë vetëm dhe gjithmonë pyesim veten pse është kaq ftohtë nën mbulesa. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Jo se në të shkuarën shtrati ngrohej vetë, por të kishe një krevat vetëm për veten tënde ishte paksa e pazakonte. Deri në shekullin e 19 njerëzit flinin në mënyra të përbashkëta. Nuk bëhet fjalë vetëm për çiftet, por edhe për fjetje bashkë me miq, kolegë, e të huaj. Një “shok” i mirë gjumi ofron ngrohtësi dhe bisedë në orët e para të mëngjesit.
Cilësia mbi sasinë
Se sa gjumë kemi nevojë secili kjo varet nga personi në person me shumicën e rekomandimeve për nga shtatë deri në nëntë orë. Por sasia e gjumit është vetëm një pjesë e ekuacionit. Cilësia ka po aq rëndësi, në mos më shumë. Kur flemë truri ynë mbushet me një lëndë cerebrospinale për të pastruar mbeturinat dhe toksinat e grumbulluara. Ky sistem i pastrimit quhet sistemi glimfatik dhe funksionon më mirë në të njëjtën kohë çdo ditë. Sinkronimi i gjumit me ritmet tona natyrore cirkadiane krijon pushim më cilësor të trurit.
Falenderoi shtretërit modernë
Sot shumica e njerëzve në botën perëndimore kanë fatin të zgjohen në një shtrat të butë. Duhet të kujtojmë se gjërat nuk kanë qenë gjithmonë kaq komode. Në Mesjetë, njerëzit hapnin sytë çdo mëngjes ndaj ajrit të mbytur dhe errësirës brenda një “krevati kuti”. Këto krevatë ndihmonin të flinin njerëzit më ngrohtë, por ndonjëherë ishin të vegjël. Më vonë erdhën dyshekë me materiale të lira me kashtë dhe gjethe, por mbartnin pleshta e çimka. Prandaj falenderoni sepse sot keni një krevat me dyshek ku mund të flini rehat./Opinion.al