Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregut i Italisë ka gjobitur platformën popullore të videove të shkurtra TikTok me 10 milionë euro për dështimin e saj për të mbrojtur të miturit.
Gjoba u vendos nga Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregut për tre kompani në grupin Bytedance Ltd, respektivisht për kompanitë ‘TikTok Technology Limited’, ‘TikTok Information Technologies UK Limited’ dhe TikTok Italy Srl’.
“Kompania ka dështuar të zbatojë mekanizmat e duhur për të monitoruar përmbajtjen e publikuar në platformë, veçanërisht ato që mund të kërcënojnë sigurinë e të miturve dhe individëve të cenueshëm”, njoftoi autoriteti italian i konkurrencës.
Në njoftim thuhet se shpërndarja e disa përmbajtjeve, të tilla si “sfidat” potencialisht të dëmshme, me gjasë kërcënojnë sigurinë psiko-fizike të përdoruesve, veçanërisht nëse ata janë të mitur dhe të pambrojtur.
“TikTok nuk ka marrë masat e duhura për të parandaluar shpërndarjen e një përmbajtje të tillë, duke mos respektuar plotësisht udhëzimet që ka miratuar dhe të cilat ua ka bërë të njohura konsumatorëve duke i siguruar ata se platforma është një hapësirë e sigurt”, tha mbikëqyrësi italian.
Gjoba vjen në mes të një presioni në SHBA për të ndaluar aplikacionin TikTok, me një ndalim kombëtar që ka kaluar një dhomë të Kongresit, kryesisht për shqetësimet e privatësisë dhe sigurisë së përdoruesit./Opinion.al