54-vjeçari Agron Puka i cili mbeti i plagosur nga përplasja me armë zjarri mëngjesin e së mërkurës në Rrilë të Lezhës, do të qëndrojë në burg pa afat.
Sipas Reporttv, ai u njoh me masën e sigurisë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr mjekim që prej ditës kur ndodhi ngjarja.
Në deklarimet e tij para, togave të zeza 54-vjeçari mësohet të ketë thënë se ka qëlluar për vetëmbrojtje, pasi tre persona i kishin zënë pritë sapo la fëmijët në shkollë. Por pavarësisht këtyre pretendimeve, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e Agron Pukës dhe vendosi ndaj tij masën sigurisë “Arrest në Burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ngjarja ndodhi para shkollës 9-vjeçare “Marash Gjoni” në Rrilë, ku fillimisht u raportua për atentat me armë zjarri ndaj 54-vjeçarit Agron Puka i cili mbeti i plagosur. Por pas veprimeve të thelluara hetimore, rezultoi se dhe vetë shënjestra ka qëlluar në drejtim të tre autoreve të dyshuar Vinçens Tuku, Amarildo Kola dhe Kevin Ndoka të cilët janë shpallur në kërkim policor.