Në datat 7 dhe 8 mars, Pazari i Ri do të shndërrohet në qendrën e festimeve për Ditën e Mësuesit dhe Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Në ditën e Mësuesit, Pazari i Ri do të ofrojë një sërë aktivitetesh për të gjithë vizitorët. Duke nisur nga ora 10:00 deri në orën 19:00, hapësira unike e Pazarit do të mbushet plot me mundësi për argëtim për fëmijët dhe familjen. Panairi i artizanëve dhe dyqaneve të luleve sjell një gamë të pasur me produkte të veçanta, për të promovuar talentin vendas dhe kulturën lokale.
Së bashku me këtë, do të ketë sesione mësimore për mbjelljen e luleve dhe face painting për fëmijët, të cilat do të shkëlqejnë me motive lulesh dhe ngjyra të ndryshme. Muzika shqiptare do të shtojë atmosferën dhe do t’i sjellë këtij festimi ngrohtësi dhe buzëqeshje.
Në vazhdim të kësaj feste të mrekullueshme, në 8 Mars do të ketë aktivitete të veçanta për të nderuar dhe festuar rolin e shumëfishtë të grave në shoqëri. Nga ora 10:00 deri në 19:00, Pazari i Ri do të ofrojë një gamë të pasur të ngjarjeve, duke filluar nga paneli i sensibilizimit për gratë deri te kori vullnetar i grave, që do të sjellë frymë solidariteti dhe mbështetje për të drejtat e grave. Për të bërë këtë ditë më të bukur, kafe falas do të ofrohet për të gjitha gratë nga disa kompani kafeje, duke bashkëpunuar me disa bare kafe të zonës. Po ashtu, për të shtuar ndjesinë e bukurisë, make-up falas do të jetë në dispozicion për vajzat dhe gratë që do të jenë pjesë e festës.