Një i ri shqiptar i quajtur, Marios Tralo, është vënë në pranga nga policia greke, pasi ndaj tij rëndojnë akuzat “vrasje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
20-vjeçari nga Durrësi dyshohej se fshihej në Angli, por në fakt ai u kap në Athinë.
Tralo dyshohet se më dy shkurt rreth orës 03:30 ka hapur zjarr nga një automjet ndaj Renis Fejzollit, i cili ndodhej në një park në rrugën “Sidhirokastro” në Athinë.
34-vjeçari u transportua në spital i plagosur me dy plagë arme zjarri, ndërsa policia gjeti në vendngjarje 3 gëzhoja, 1 fishek dhe 1 thikë. Hetimet e policisë zbuluan se Fejzolli i kishte borxh një shumë prej 1000 euro Marios Tralo me të cilin ishin shokë, ndërsa ky i fundit kishte përhapur thashetheme në rrethin e tyre miqësor, të cilat e kishin prekur Fejzollin.
Dy të rinjtë kanë komunikuar në telefon pasditen e 1 shkurtit dhe e kishin lënë të takoheshin për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Teksa Fejzolli e priste Tralon në parkun ku ndodhi ngjarja, ky i fundit është shfaqur me një automjet “Toyota Yaris” dhe pasi ka hapur xhamin, ka shtënë me armë drejt tij.
Mario Tralo rezulton të jetë me precedentë penalë për “drejtim mjeti në mënyrë të rrezikshme”, “fyerje”, “dëmtim pasurie”, “shkelje të ligjit mbi armët”, “shkelje të ligjit për lëndët e varësisë dhe dispozitave të tjera” dhe “shkelje të kodit të qarkullimit rrugor”.