Një ditë pasi u plagos në shpërthimin e ndodhur në Lushnje, tre deputetë socialistë, Fadil Nasufi, Laert Duraj dhe Çim Hysa shkuan në spitalin e Traumës për të parë nga afër gjëndjen shëndetësore të kolegut të tyre Bujar Çela.
Në një intervistë për Report Tv, deputeti Fadil Nasufi ka treguar se deputeti ndodhet në sallën e reanimacionit, por gjëndja shëndetësore etij është e stabilizuar.
“Fatmirësisht gjëndja shëndetësore është stabilizuar. Duhen përgëzuar stafi ushtarak për ndërhyrjen tepër të specializuar për pastrimin e ciflave që kanë ndodhur nga shpërthim. Dëmtimin kryesor e ka në kofshën e djathtë pasi ciflat e shpërthimit e kanë prekur sistemin arteriar venoz, si dhe në pjesën abdominale. Dëmtime ka dhe një pjesën abdominale ku po vijon pastrimi i ciflave. Ka probleme me dëgjimin për shkak të valës së shpërthimit që ka qenë në terren por gjëndja është e stabilizuar në të gjitha parametrat e saj. Është në sallën e reanimacionit’.
Ai thotë se kanë qenë deputet të cilët i kanë qëndruar pranë gjithë natën Bujar Çelës.
“Kolegët tanë deputetë e kanë gdhirë natën me lutje për të dhe ata që u plagosën. Është në gjëndjen më optimalen më të mundshme nga ajo llahtari që ndodhi dje. Madje po përpiqej të bënte dhe humor por ne nuk e lejuan të bëjnte më shumë.
Pyetje: A ju tregoi pse kishte shkuar dje, dhe sa larg shpërthimit ishte?
Përgjigje: Nuk u futëm farë në këtë çështje. Ishim atje për 1 minutë e gjysmë. Ne na kënaqi se reagoi, dje e vizituam në reanimacion e Lushnjes dhe nuk ishte fare në vetëdije. Edhe pacienti tjetër që ndodhet në Lushnje është stabilizuar. Ka dhe ai cifla të shpërthimit.