Është finalizuar me sukses një ndërhyrje kardiokirurgjikale mjaft komplekse nga ekipi i mjekëve të Shërbimit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Kryeministri Edi Rama nërmjet një postimi në rrjetet sociale thotë se “ndërhyrja u realizua nëpërmjet një metode shumë efikase: riparim i valvolës së aortës me unazë sub koronare sipas metodës së Lansac”.
“Ajo që e bën të rrallë është se kjo ndërhyrje kardiokirurgjikale është realizuar për herë të parë në Shqipëri”, shkruan Rama.
Një prej doktorëve që ka realizuar ndërhyrjen Klodiam Krakulli tha se “valvula e e aortës është një kirurgji më sfiduese sepse për nga vetë anatomia ajo është më komplekse”.
“Ne kemi realizuar një teknikë inovative që quhet riparim i valvulës së aortës sipas teknikës së rimodelimit, e përforcuar kjo me një unazë nënvalvulare”, shtoi ai.
Gjatë 2 muajve të fundit janë realizuar 4 ndërhyrje të tilla, të cilat kanë rezultuar të suksesshme.
“Rezultatet deri tani tek këta 4 pacientë i kemi pasur të mrekullueshme”, tha Krakulli.
Prof.Asc. Altin Veshti tha se “kjo ndërhyrje realizohet për herë të parë në kardiokirurgjinë shqiptare. ne do ta vazhdojmë këtë metodë që pacientët e rinj të kenë valvulat e tyre dhe të mos përdorin mekanike ose biologjike. Gjithmonë aty ku është e mundur”.
Ndërhyrja u realizua nga ekipi mjekësor Prof.Asc. Altin Veshti, D.Sh.M, Klodian Krakulli, Dr.Arbër Aliu, Prof.Asc. Saimir Kuçi dhe instrumentare Majlinda Malaj.