Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka folur për ngjarjen e rëndë ku 19-vjeçarja në Durrës dyshohet se ka vrarë babanë, si edhe për rastet e dhunës në familje.
Nga Korça, Balla tha se Policia ka një protokoll tërësisht të ri për dhunën në familje dhe reagimin.
Gjatë fjalës së tij, ministri u bën thirrje grave apo vajzave të dhunuara që të denoncojnë çdo rast dhune.
“Viti 2023 ka qenë një vit me ngjarje të rënda të krimit brenda familjes dhe po ashtu një numër i rritur i dhunës në familje kjo dhe për shkakun se policia është munduar të identifikoj të gjitha rastet që kemi pasur sinjalizime. Dua të komunikoj me ju faktin se tashmë kemi një protokoll tërësisht tjetër nga Policia e Shtetit lidhur me konstatimin më të parë të një shqetësimi apo të një ankese, përsa i përket dhunës në familje, kryesisht bëhet fjalë për dhunë me bazë gjinore, dhunë seksuale.
Unë nxis çdo vajzë, çdo grua, çdo nënë të këtij vendi që të denoncoj rastet e dhunës dhe dua ta garantoj që jo vetëm Policia e Shtetit përsa i përket pjesës që i takon, por edhe institucionet e tjera ju e keni parë dje ne kemi filluar dje një qasje të re sa i përket pronave të sekuestruara dhe konfiskuara nga krimi dhe korrupsioni do mundohemi që një pjesë të këtyre pronave t’i vendosim në shërbim të organizatave jo qeveritare, të cilat të kthehen në strehëza apo në shtëpi për vajzat, gratë e dhunuara.
Kjo betejë nuk është një betejë që mund ta fitoj vetëm Policia e Shtetit. Policia e Shtetit është aty për të bërë ndërhyrjen e parë dhe natyrshëm për të vendosur para ligjit dhunuesin, por kjo është diçka që unë mendoj duhet t’i bëjmë një apel gjithë shoqërisë tonë. Lufta kundër dhunës seksuale, dhunës me bazë gjinore nuk është diçka që zhvillohet dy javë kur mblidhen gjithë shoqatat e këtij vendi për të sensibilizuar. Unë mendoj që kjo duhet bërë çdo ditë dhe ju mediat keni një meritë të veçantë sikurse keni dhe një përgjegjësi të madhe për të sensibilizuar dhe për ta bërë shoqërinë sa më të bashkuar kundër këtij fenomeni të papranueshëm”, tha Balla./Opinion.al