Nga Aurenc Bebja
“Gazzetta di Venezia” ka botuar, të martën e 22 marsit 1938, në faqen n°2, një shkrim rreth miratimit asokohe nga Parlamenti shqiptar të projektligjit për dhënien e medaljes së meritës për fermerët, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Medalja e meritës për fermerët shqiptarë
Tiranë, 21 mars.
Parlamenti shqiptar ka miratuar një projektligj që vendos medaljet e meritës për fermerët, me synimin për t’i dhënë një shenjë të prekshme dallimi fermerëve dhe blegtorëve që kanë qenë meritorë gjatë fushatës së nisur nga qeveria për forcimin dhe zhvillimin e bujqësisë shqiptare.
Ministri i Ekonomisë Kombëtare, Toçi (Terenc), ilustroi projektligjin para deputetëve, duke nënvizuar nevojën për të mos lejuar fermerët të braktisin tokën, duke u shprehur se është e nevojshme të kërkohen dhe kanalizohen të gjitha energjitë për t’i dhënë rritjen maksimale aktiviteteve bujqësore që përbëjnë burimin kryesor të pasurisë së vendit.